Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës u promovua libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”
Në hapësirat e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës u mbajt promovimi i librit dokumentar “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të studiuesit dhe publicistit nga Kosova, Shkëlzen Gashi. Vepra paraqet një dokumentim të detajuar të krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së Kosovës, duke ndriçuar ngjarje tragjike dhe duke sjellë dëshmi të bazuara në burime kredibile. Të pranishëm në aktivitet ishin drejtues të Universitetit të Tetovës, profesorë, studentë, studiues, përfaqësues institucionalë dhe mysafirë nga Kosova.
Në hapje të promovimit, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, theksoi rëndësinë e këtij botimi për historinë dhe studimet akademike, duke e cilësuar librin si një burim të pazëvendësueshëm për faktet mbi krimet e kryera ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, z. Florian Qehaja, në fjalën e tij nënvizoi obligimin institucional dhe moral për ndriçimin e së vërtetës historike dhe për mbështetjen e studimeve që kontribuojnë në drejtësi dhe kujtesë kolektive.
Drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në UT, Mr. Sc. Donika Kamberi, theksoi se vepra e z. Gashi paraqet një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë. Ajo ofron fakte të verifikueshme, dëshmi dhe materiale arkivore, të cilat i shërbejnë jo vetëm shkencës historike, por edhe institucioneve të drejtësisë dhe procesit shoqëror të pajtimit. Pa të vërtetën, nuk mund të ketë drejtësi, dhe pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Ajo gjithashtu shprehu konsideratën më të lartë për Universitetin e Tetovës, institucion i dijes, identitetit dhe rezistencës intelektuale shqiptare. UT ka qenë dhe mbetet një qendër akademike me peshë kombëtare, një universitet që jo vetëm edukon breza, por ruan, kultivon dhe transmeton historinë, kulturën dhe vlerat tona. Puna shkencore e studiuesve të UT-së ka kontribuar ndjeshëm në ndriçimin e së vërtetës historike dhe në mbrojtjen e kujtesës kolektive.
Autori i veprës, Shkëlzen Gashi, në fjalën e tij shpjegoi procesin e gjatë të hulumtimit dhe mbledhjes së të dhënave, duke theksuar se ky botim është rezultat i shumë viteve pune, analizash arkivore dhe dokumentimesh të bazuara në burime zyrtare, raporte ndërkombëtare dhe dëshmi të institucioneve të drejtësisë dhe organizatave për të drejtat e njeriut. Ai theksoi se libri paraqet të dhëna faktografike për qindra raste masakrash të kryera ndaj civilëve shqiptarë, duke identifikuar vendin, kohën, numrin dhe kategorinë e viktimave, përkatësinë e tyre, mekanizmat e ekzekutimit dhe informacion mbi procedimet gjyqësore kur ekzistojnë. Ky libër i kushtohet viktimave. Është një përpjekje që e vërteta historike të mbetet e patjetërsueshme dhe që brezat e ardhshëm të kenë bazë shkencore, të verifikuar dhe të pakontestueshme për atë çfarë ka ndodhur. Promovimi u mbyll me diskutime të hapura me të pranishmit, të cilët shprehën vlerësim për seriozitetin shkencor të autorit dhe rëndësinë e trajtimit të kësaj teme në ambientet akademike.

