Qeveria do të emërojë të besuarit e saj në komunat ku nuk u zgjodhën kryetarë komunash në zgjedhjet lokale. Kjo do të bëhet menjëherë pasi KSHZ zyrtarisht t’i mbyllë zgjedhjet dhe do të informojë Qeverinë. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se ende nuk kanë mbajtur asnjë bisedim me partnerët e koalicionit për atë se kush do të përzgjidhet si ushtrues detyre.
“Fillimisht duhet zyrtarisht KSHZ ti përfundojë zgjedhjet dhe ta informojë qeverinë. Kjo pres të ndodhë javën e ardhshme. Më pas Qeveria ka afat prej 15 ditëve të veprojë dhe ta informoj KSHZ-në dhe Kuvendin që Kuvendi në afat prej 60 ditëve të mbajë zgjedhje të reja në ato komuna ku ishin të pa suksesshme… Kështu që unë pres gjatë javës së ardhshme kur ti marrim të ulemi me partnerët e koalicionit dhe ti propozojmë emrat se cilët do të jenë të besueshmit e qeverisë në ato komuna ku zgjedhjet ishin të pa suksesshme”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Të pa suksesshme zgjedhjet lokale ishin në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë. Në zgjedhjet që do të përsëriten në këto komuna, nuk do të vlejë censusi dhe nuk do të kenë mundësi që përsëri të dështojnë. Ndërkohë nga KSHZ refuzuan të gjitha 16 ankesat për procesin e votimit të rrethit të dytë dhe presin nëse dorëzuesit e ankesave do të ankohen edhe në Gjykatën Administrative. Ankesa pati për komunat Karposh, Shuto Orizare dhe Bërvenicë. Në Shuto Orizare u dorëzuan 13 ankesa prej të cilave dhjetë nga koalicioni “Maqedonia jote” e VMRO-DPMNE-së dhe tre nga “Lidhja e Romëve”. Dy ankesa pati nga koalicioni “Përvoja për sukses” në Karposh dhe një ankesë pati kandidati i VLEN në Bërvenicë, Haqim Ramadani. /Alsat.mk

