Mbledhja e parë konstituive pas zgjedhjeve vendore shënon një kapitull të ri për komunën.
Sot, në Komunën e Çairit, u zhvillua mbledhja e parë konstituive e Këshillit të ri komunal, pas zgjedhjeve të fundit lokale.
Gjatë mbledhjes, Muhamed Murtezi, bartës i listës së koalicionit VLEN, u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunës së Çairit.
Murtezi e konsideroi këtë ditë si fillimin e një kapitulli të ri për Çairin, duke theksuar se përfaqësimi i ri i qytetarëve konkretizohet me përgjegjësi, përkushtim dhe bashkëpunim për zhvillim.
“Ky Këshill do të jetë zëri i qytetarëve të Çairit. Do të punojmë me transparencë, me vendime të drejta dhe me synimin e përbashkët për ta çuar komunën tonë përpara,” deklaroi Murtezi.
Ai shtoi se Çairi meriton një Këshill që dëgjon, vepron dhe sjell ndryshim, duke e cilësuar këtë si një rrugëtim të përbashkët për të mirën e komunës dhe të gjithë qytetarëve të saj.
