Punimet për Vlora Marina kanë hyrë në një fazë vendimtare, duke shënuar hapa konkretë drejt realizimit të një prej investimeve më të rëndësishme në bregdetin shqiptar. Aktualisht, në disa prej nukleve të para, progresi i punimeve shkon deri në 25%, dhe me ritmin aktual, brenda vitit 2027 pritet të përfundojnë njësitë e para.
Çdo fazë e ndërtimit po kryhet me kujdes të veçantë ndaj cilësisë dhe qëndrueshmërisë. Projekti është vlerësuar nga IFC dhe World Bank Group me certifikimin EDGE në fazën e dizajnit, për eficiencën e energjisë, kursimin e ujit dhe përdorimin e materialeve që reduktojnë emetimet e karbonit, duke vendosur standarde të reja për zhvillimin bregdetar në Shqipëri.
Vlora Marina pritet të jetë një hap i madh drejt zhvillimit urban dhe turistik të qytetit, duke sjellë përfitime ekonomike të rëndësishme dhe duke tërhequr vizitorë, investitorë dhe banorë të rinj. Marina do të ofrojë mbi 400 vende ankorimi për jahte dhe megajahte, në bashkëpunim me rrjetin prestigjioz D-Marin, i njohur në Mesdhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Përveç marinës, projekti përfshin ndërtimin e mbi 800 apartamenteve premium buzë detit, të dizajnuara për një stil jetese modern me shërbime ekskluzive dhe hapësira për relaks dhe argëtim. Një tjetër element i veçantë është hoteli i parë Marriott në bregdetin shqiptar, i shoqëruar me 150 apartamente të branduara, që do të ofrojnë luks dhe komoditet sipas standardeve ndërkombëtare.
Me ritmin e qëndrueshëm të punimeve dhe vizionin e qartë, Vlora Marina po shndërrohet në realitet, duke pozicionuar Vlorën si një pol të ri turizmi dhe investimesh, të aksesueshëm lehtësisht nga deti, toka dhe ajri.

