Kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit dhe shtatë të tjerëve për keqpërdorim detyre në Komunën e Sarajit

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit ndaj tetë personave fizikë – ish-zyrtarë dhe të punësuar në Komunën e Sarajit dhe Qytetin e Shkupit, si dhe ndaj një inxhinieri mbikëqyrës, për dyshime mbi keqpërdorim të detyrës zyrtare, mospërmbushje të ndërgjegjshme të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve afariste.

Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, së bashku me S.Sh. dhe Q.K. – ish-sekretarë komunalë, A.S. dhe Q.A. – udhëheqës të sektorëve të urbanizmit, A.Sh. – bashkëpunëtor në komunë, I.B.Sh. – udhëheqës i sektorit për planifikim dhe rregullim të hapësirës në Qytetin e Shkupit, si dhe L.T., inxhinier mbikëqyrës.

Sipas Policisë Financiare, ekzistojnë dyshime të bazuara se të pandehurit kanë miratuar dokumente të rreme për një parcelë ndërtimore në fshatin Gllumovë (parcela nr. 10405/6 KO Saraj), megjithëse për atë zonë nuk ekzistonte plan urbanistik i detajuar. Ata dyshohen se kanë përgatitur dhe aprovuar ekstrakte plani dhe leje ndërtimi me përmbajtje të pavërtetë, si dhe kanë llogaritur kompensime të tokës ndërtimore në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, inxhinieri mbikëqyrës dyshohet se ka kryer kontroll teknik dhe ka përgatitur raport përfundimtar të rremë për objektin në fjalë.

Me këto veprime, personat e përfshirë dyshohet se i kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” DOOEL nga Gllumova të përfitojë në mënyrë të paligjshme pasuri materiale në vlerë prej 108.638.840 denarësh.

Kallëzimi penal është ngritur për vepra penale sipas nenit 353 (“Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimeve”), nenit 353-v (“Mospërmbushje e ndërgjegjshme e detyrës zyrtare”) dhe nenit 280 (“Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë”) të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com