Kryeministri, si duket është keqinformuar lidhur me procedurën e miratimit të dy Planeve Detale Urbanistike në Gostivar. Çdo veprim është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin, konkretisht me nenin 38, paragrafi 2 të Ligjit për planifikim urbanistik.
Sipas këtij neni, Ministria e Transportit ka një afat 20-ditor për të dhënë pëlqim ose për të dorëzuar njoftim me vërejtjet e konstatuara. Në rast se Ministria nuk vepron brenda këtij afati, ligji parashikon qartë që Kryetari i Komunës e dërgon planin në Kuvendin Komunal, i cili e shqyrton dhe vendos në votim në seancën e parë të radhës.
Fakti që planet janë miratuar edhe me votat e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, në mbledhjen e Këshillit të Komunës së Gostivarit më datë 02.08.2025, tregon se procesi ka qenë i rregullt dhe transparent. Po të kishte pasur parregullsi, këshilltarët nga partia e kryeministrit nuk do të kishin votuar për to.
Për më tepër, për dy planet e përmendura janë kryer dy inspektime nga Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, dhe në procesverbalet përkatëse konstatohet qartë se miratimi i tyre është bërë në përputhje me dispozitat ligjore, pa asnjë vërejtje apo shkelje.
Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të plotë të ligjit. Çdo veprim realizohet në përputhje me kornizën ligjore të shtetit dhe nuk ka vend për interpretime të pasakta apo tendencioze.


