Delegacioni i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, mori pjesë në përvjetorin e Magna Charta Universitatum, i cili u mbajt në Londër prej 11–13 nëntor 2025.
Përvjetori i Magna Charta Universitatum është një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare në lëmin e arsimit të lartë, ku marrin pjesë drejtues universitetesh, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota.
Tema kryesore e konferencës ishte: “Për çfarë shërbejnë universitetet? Parimet, vlerat dhe përgjegjësitë e arsimit të lartë në një botë të fragmentuar.” Këtë vit debati u fokusua në rolin e universiteteve për të promovuar lirinë akademike, autonominë institucionale, inovacionin dhe përgjegjësinë shoqërore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në një kohë kur bota përballet me sfida komplekse.
Gjatë konferencës, delegacioni i Universitetit të Tetovës pati mundësinë të njihet me praktikat më të mira ndërkombëtare në arsimin e lartë, të shkëmbejë ide me përfaqësues të universiteteve prestigjioze dhe të forcojë bashkëpunimin në projekte dhe iniciativa të përbashkëta.
Përveç pjesëmarrjes në konferencë, delegacioni i UT realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin e Kembrixhit, ku u diskutuan mundësi për shkëmbime akademike, bashkëpunime në hulumtime shkencore dhe zhvillim programesh ndërkombëtare.
Universiteti i Tetovës vazhdon të jetë pjesë aktive e rrjeteve ndërkombëtare të arsimit të lartë dhe të mbrojë vlerat që përfaqëson Magna Charta Universitatum 2020.

