Opozita socialdemokrate reagoi sërish ndaj skandalit të ndërhyrjeve të panevojshme kardiologjike, duke theksuar se institucionet po heshtin për një rast që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe dinjitetin e qytetarëve. Në deklaratën e saj, Renata Mlladenovska nga LSDM vlerësoi se autoritetet po përpiqen ta minimizojnë çështjen dhe po shmangin transparencën.
Sipas saj, publikimi i raportit zyrtar, ku përmenden mjekët dhe klinikat e përfshira, është detyrim ligjor dhe moral. Ajo theksoi se pa zbardhjen e plotë të këtij skandali, besimi i qytetarëve në sistemin shëndetësor mbetet i cenuar. LSDM kërkon që organet kompetente të nisin menjëherë procedurat penale ndaj përgjegjësve dhe që pacientëve të prekshëm t’u sigurohet ndihmë profesionale dhe mbështetje psikologjike.
“Institucionet nuk po japin asnjë shpjegim. Nuk dihet kush i ka rekomanduar këto operacione dhe pse ende nuk ka asnjë padi. Po krijohet përshtypja se dikush po fiton kohë për të zhdukur provat. Ky është skandal që prek jetë njerëzish, njerëz që sot kuptojnë se kanë kaluar trauma të panevojshme vetëm sepse dikush i ka parë si mundësi fitimi”, deklaroi Mlladenovska.

