Ambasada Amerikane në Tiranë bëri publike pamje dhe detaje nga një stërvitje e zhvilluar javën e kaluar nga Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA në Europë (SOCEUR), të cilat kryen një ushtrim të natës në bazën ushtarake të Zall Herrit. Njësitë speciale amerikane mbërritën me dy avionë CV-22 Osprey në një operacion me dukshmëri të ulët, i krijuar për të testuar reagimin e tyre të menjëhershëm në situata krizash në rajon.
Sipas njoftimit, trajnimi u përqendrua në vendosjen urgjente të trupave dhe verifikimin e aftësisë për t’u aktivizuar shpejt në çdo skenar të mundshëm. Ambasada theksoi se stërvitje të tilla thellojnë bashkëpunimin mes forcave amerikane dhe atyre shqiptare, duke forcuar sigurinë rajonale dhe ndërveprueshmërinë e aleatëve.

