Shoqëria për prodhim dhe shërbime komunale Saubermacher Tetovë SHPK ka dalë me reagim publik pas disa interpretimeve të pasakta që qarkulluan në opinion lidhur me kërkesën e fundit për lidhjen e kontratave me personat juridikë në territorin e Komunës së Tetovës.
Nga kompania theksojnë se më datë 05.09.2025 përmes postës elektronike është dërguar kërkesë deri te të gjitha subjektet afariste që gjenerojnë mbeturina komerciale, me qëllim lidhjen e kontratës për shërbime komunale – respektivisht mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave.
Në reagimin e kompanisë thuhet se disa interpretime tendencioze dhe të pasakta kanë krijuar përshtypje të rreme në opinion, duke akuzuar Saubermacher për “reketim”, kërcënime me gjoba dhe detyrim për kontrata.
“Këto deklarata janë plotësisht të pavërteta. Obligimi për lidhjen e kontratës buron drejtpërdrejt nga Ligji për menaxhim me mbeturinat dhe gjobat mund të shqiptohen vetëm nga organet inspektuese të autorizuara, jo nga kompania”, thuhet në reagimin e Saubermacher Tetovë.
Në sqarim, kompania përmend edhe nenin 6 të Ligjit për menaxhim me mbeturinat, ku thuhet se të gjitha subjektet juridike që krijojnë mbeturina të ngjashme me ato të amvisërive (letër, ambalazh, plastikë, ushqim, qelq, etj.), janë të obliguara të lidhin kontratë me shërbimin komunal.
“Ne mbetemi partner transparent dhe profesional i komunitetit. Qëllimi ynë është të sigurojmë menaxhim ligjor dhe të rregullt me mbeturinat, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe marrëdhënie të qarta me shfrytëzuesit”, përfundon reagimi.

