Parlamenti Evropian ka publikuar draft-raportin për strategjinë e zgjerimit, që përfshin të gjitha vendet kandidate dhe potenciale, përfshirë Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Turqinë. Raporti vendos kritere të qarta për reformat dhe ofron mekanizma të rinj monitorimi, duke e vendosur zgjerimin sërish si prioritet të BE-së.
Strategjia përfshin mundësinë e pezullimit të negociatave në rast të ngecjes së sundimit të ligjit, krijimin e grupeve të posaçme për monitorimin e demokracisë dhe mediave, si dhe përdorimin e shumicës së kualifikuar për vendimet ndërmjet hapave të negociatave, duke eliminuar pritjet e gjata të disa vendeve kandidate. Gjithashtu, vendet kandidate mund të përfshihen më thellë në politikat e BE-së, si tregu i brendshëm, energjia, infrastruktura dhe siguria, edhe para anëtarësimit formal.
Raporti gjithashtu adreson kërcënimet nga dezinformatat, sidomos nga Rusia, duke zgjatur mekanizmin “European Democracy Shield” për vendet kandidate. Procesi vijon me afatin për amandamente më 25 nëntor, debatin e ri në AFET më 15 janar dhe votimin në seancën plenare të Parlamentit Evropian në shkurt.

