Një operacion i koordinuar nga autoritetet bullgare dhe i mbështetur nga Europol ka zbuluar një rrjet kriminal të përfshirë në trafikim të paligjshëm të artefakteve kulturore, duke rezultuar në arrestimin e 35 personave. Operacioni përfshiu hetime dhe bastisje në Bullgari, si dhe bashkëpunim me autoritete nga Shqipëria, Franca, Gjermania, Greqia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Gjatë aksionit u sekuestruan mbi 3.000 artefakte, monedha antike, vepra arti, armë dhe mbi 50.000 euro cash, me vlerë të përgjithshme mbi 100 milionë euro. Hetimet kanë nisur që në vitin 2020, pas bastisjes së një banese në Bullgari ku u gjetën 7.000 artefakte me origjinë kryesisht greko-romake dhe trake.
Europol nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ndalimin e trafikimit të artefakteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke theksuar se tregu i veprave të artit është i cenueshëm për shkak të kërkesës së lartë dhe mundësive për larje parash të paligjshme. Hetimet vazhdojnë në disa nga vendet e përfshira në operacion.

