Komuna e Sarajit ka shprehur pikëllim të thellë për ndarjen nga jeta të profesorit dhe shkrimtarit të njohur, Baki Bakiu, një figurë e rëndësishme e arsimit dhe kulturës shqiptare. Në një reagim zyrtar, Komuna ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bakiu, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar veprimtarinë e tij.
Në njoftim theksohet se profesor Bakiu ka lënë gjurmë të pashlyeshme në edukimin e shumë brezave, si dhe ka kontribuar ndjeshëm në letërsinë shqipe me krijimtarinë e tij të pasur. Komuna e Sarajit e ka cilësuar atë si një personalitet që i ka dhënë shumë komunitetit dhe kulturës sonë.
“Kujtimi për të do të mbetet i përjetshëm. Zoti u dhëntë forcë dhe durim familjarëve për të përballuar këtë humbje të madhe”, thuhet në mesazhin e Komunës së Sarajit.
Në fund të reagimit, kryetari i Komunës ka përcjellë ngushëllimet e tij personale për familjen dhe gjithë komunitetin që humbi një njeri të dashur dhe të respektuar.

