Zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së zhvilluan një vizitë njëjavore në Berlin, ku morën pjesë në seminarin “Sfidat e lidershipit të shekullit 21”. Programi përfshiu ligjërata dhe takime që trajtuan filozofinë bashkëkohore të lidershipit, përkujdesjen ndaj veteranëve dhe praktikat moderne të udhëheqjes ushtarake.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit në disa institucione kyçe gjermane, përfshirë Zyrën e Komisionerit të Forcave të Armatosura, Komisionin e Mbrojtjes dhe Qendrën e Karrierës së Bundeswehr-it, ku u shkëmbyen përvoja dhe modele suksesi në fushën e mbrojtjes dhe menaxhimit të burimeve njerëzore.
Në Ambasadën e Kosovës në Berlin u mbajt ceremonia e diplomimit të katër kadetëve të FSK-së që përfunduan studimet në Gjermani, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rritjen profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcimin e partneritetit Kosovë–Gjermani.

