Baza Ushtarake në Kuçovë, që nga marsi i 2024-s shërben si qendër taktike për NATO-n, do të përfitojë një seri investimesh të reja. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur garën për përmirësimin e infrastrukturës, përfshirë hangarin e bazës, rrjetin elektrik dhe telekomunikacionin me fibër optike, si dhe ndriçimin e rrugëve, me një fond limit prej 10.985.000 lekësh.
Projekti parashikon ndërtimin e një kabine elektrike të re me tension të mesëm 20 kV, modernizimin e rrjetit të brendshëm elektrik, si dhe krijimin e një rrjeti të jashtëm furnizimi me ujë përmes tubacionit ekzistues të Bashkisë Dimal. Përdoren materiale të certifikuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian për të garantuar një infrastrukturë moderne, funksionale dhe të sigurt.

