Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Shkup, z. Fatih Ulusoy, i cili i përcolli urimet për marrjen e detyrës si kryetar komune.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes popullit shqiptar dhe Turqisë, si dhe bashkëpunimi i ndërtuar ndër vite në fusha të ndryshme. Kryetari Mexhiti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, sidomos për projektet që kanë kontribuar në zhvillimin e komunitetit në Çair.
Ai theksoi angazhimin për të krijuar një administratë efikase dhe të hapur për bashkëpunim, me synim forcimin e partneriteteve ekzistuese dhe nxitjen e projekteve të reja zhvillimore në komunë. Ambasadori Ulusoy, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin institucional dhe për të mbështetur iniciativat që i shërbejnë qytetarëve.
Takimi u zhvillua në atmosferë të respektit të ndërsjellë dhe me fokus në vazhdimin e partneritetit të fortë mes Çairit dhe Republikës së Turqisë.

