Në Gjykatën Themelore të Prishtinës u zhvillua sot seanca e radhës për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku ndërlikimet brenda familjes Murseli u rikthyen fuqishëm në qendër të procesit. Për shkak të mungesës së dëshmitarit Shaban Murseli, trupi gjykues lexoi deklaratën e tij të dhënë në polici më 6 dhjetor 2023, vetëm disa ditë pas ngjarjes.
Në dëshminë e lexuar, Shaban Murseli kishte folur për një konflikt të mëhershëm brenda familjes, duke përmendur ekzistimin e disa fotografive ku Naim Murseli – i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij – shihej “afër” me gruan e Kanunit, djalit të hallës së tij. Ai kishte nënvizuar se fotot nuk paraqisnin situatë intime, por sipas tij kishin krijuar tension mes palëve.
“Kanë qenë disa foto të Naimit dhe gruas së Kanunit, djalit të hallës, ku shihen afër… por jo në situatë intime. Ata janë marrë vesh që kjo të mbyllet me kaq. Nuk kam idenë pse mund ta ketë kryer aktin”, thuhej në deklaratën e lexuar në sallë.
Ky pasazh i dëshmisë u bë elementi më i komentuar i seancës, duke hapur diskutime mbi marrëdhëniet e ndërlikuara brenda familjes dhe konfliktet e mundshme që mund të kenë paraprirë tragjedinë.
Pas seancës, avokati i familjes së viktimës, Leotrim Syla, deklaroi për mediat se kjo dëshmi është “shumë domethënëse” dhe se, sipas tij, mund të ndihmojë në shpjegimin e tensioneve të brendshme që paraprinë vrasjen.

