Sot rreth orës 16:15, në arat e fshatit Nerashtë, zyrtarët policorë të Departamentit Policor në Tearcë gjetën të parkuar një automjet të tipit Audi Q5 me targa të Tetovës. Brenda makinës u vërejt një burrë që nuk jepte shenja jete, me plagë të dukshme nga arma e zjarrit në pjesën e kokës. Në xhamin e shoferit ishte e qartë edhe vrima nga projektili.
Nga ekipet mjekësore u konstatua vdekja në vendngjarje.
Viktima është identifikuar si A.B. (42) nga Tetova, i cili ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij B.B. (33) më 24.11.2025, rreth orës 02:00, pasi ishte larguar nga shtëpia një ditë më herët dhe nuk ishte përgjigjur në telefon.
Në vendngjarje po punojnë Prokurori Publik dhe ekspertiza e SPB Tetovë, të cilët janë duke kryer këqyrjen dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje të tjera.

