Në një atmosferë madhështore, mes mijëra qytetarëve që mbushën Çairin me entuziazëm dhe energji fitoreje, kandidati për kryetar komune, Izet Mexhiti, hapi zyrtarisht Shtabin Zgjedhor.
“Përkrahja e paparë, jehona e brohoritjeve dhe besimi i palëkundur i qytetarëve janë tregues i fuqishëm, se ky është Shtabi FITUES i 19 tetorit”, u shpreh Mexhiti në fjalën e tij para të pranishmëve.
Udhëheqjen e shtabit e ka marrë përsipër z. Besim Koka, i cili, së bashku me ekipin e tij, sjell eksperiencë dhe përkushtim për t’i shërbyer çdo qytetari të Çairit. Ky shtab, sipas Mexhitit, do të jetë qendra e koordinimit të fushatës, vendi ku qytetarët do të njihen me programin dhe projektet për investime, shërbime publike më të mira dhe zhvillim të ndjeshëm të komunës.
“Ky është vendi ku bashkohet vizioni me veprimin, ku çdo zë i qytetarëve ka rëndësi dhe çdo ide gjen vend në vendimmarrje. Bashkë, Çairi fiton!”, tha Mexhiti.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje qytetare, duke theksuar se fitorja më 19 tetor do të jetë kapitulli i ri për Çairin dhe çdo banor të saj.

