“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet” – Alternativa takon strukturat dhe aktivin e partisë në Saraj
Sot, Alternativa takoi strukturat dhe aktivin e partisë në komunën e Sarajit nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet.” Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore, ku u trajtuan tema të ndryshme, si situata aktuale politike, sfidat, strategjitë për vitin e ardhshëm, si dhe sugjerime e kritika me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në këtë takim, Alternativa u prezantua si pjesë e qeverisë në kuadër të koalicionit VLEN.
Takimin e përshëndetën kryetari i degës në Saraj, Muhamed Zenuni, deputeti i Kuvendit të RMV-së, Bekim Sali, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Amir Elezi.
Në fund të takimit, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, deklaroi:
“Me këtë prezencë masovike jam i sigurt se kush i fiton zgjedhjet lokale në Saraj. Në të kaluarën është krijuar përshtypja se politikanët takohen me qytetarët vetëm gjatë zgjedhjeve. Nëse i qëndrojmë besnikë kësaj tradite të kontaktit të vazhdueshëm me qytetarët, kjo do të jetë një garanci që jemi në rrugën e duhur. Madje, kjo do të ndikojë edhe te partitë e tjera për të rritur standardet, duke na ndjekur ne.”
Më tej, kreu i Alternativës foli për arritjet: nga abetarja kombëtare, rritja e pagave në arsim dhe shëndetësi, fondet për Universitetin “Nënë Tereza,” deri te vendimet për shëndetësinë dhe fondet prej 250 milionë eurosh për komunat. Ai theksoi:
“Detyra jonë është të punojmë për ta fituar edhe komunën e Sarajit. Kjo komunë ka resurse të jashtëzakonshme, por ka mbetur në gjendje katastrofale për shkak të keqmenaxhimit dhe mungesës së investimeve.”
Për çështjen e gjuhës shqipe, Ibrahimi potencoi:
“Nuk ka asnjë fuqi që mund ta dëmtojë gjuhën shqipe. Ne jemi të angazhuar që ta avancojmë atë edhe më tej.”
Ai gjithashtu dënoi incidentet e fundit, duke bërë apel që të rinjtë të mos bien pre e provokimeve dhe mashtrimeve. “Ka indikacione se këto incidente janë stimuluar nga BDI-ja. Por shumë shpejt e vërteta do të dalë në shesh,” përfundoi ai.
Alternativa mbetet e përkushtuar ndaj identitetit të saj politik, duke dhënë llogaridhënie me përgjegjësi dhe dinjitet, me transparencë të plotë dhe angazhim për një të ardhme më të mirë!