Kryetari i nëndegës së Reçicës së Vogël, Pajtim Izairi, ka njoftuar se në lagje po zhvillohen punime intensive për modernizimin e infrastrukturës, me fokus në përmirësimin e kanalizimit, ujësjellësit dhe rrjetit rrugor.
Sipas Izairit, punimet janë përqendruar në zonën që përfshin rrugët 172, 169 dhe 170, ku po realizohet një projekt i integruar për zgjidhjen e problemeve infrastrukturore.
Ai bëri të ditur se fillimisht po ndërtohet sistemi i kanalizimit atmosferik, me një thellësi prej 3.2 metrash në rrugën 172, i cili do të mundësojë kyçjen e rrugës 170 në sistemin kryesor dhe do të eliminojë problemet me ujërat atmosferikë.
Pas kësaj faze, do të vazhdojë instalimi i rrjetit të kanalizimit fekal, ndërsa më pas do të realizohet modernizimi i rrjetit të ujësjellësit.
Në kuadër të projektit parashihet edhe hapja dhe rregullimi i rrugëve 169 dhe 170, si dhe vendosja e ndriçimit publik modern, me qëllim rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kushteve për banorët.
“Qëllimi ynë i vetëm është që Reçicën tonë ta kemi sa më të mirë, më funksionale dhe me kushte dinjitoze për të gjithë banorët”, ka theksuar Pajtim Izairi, duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin gjatë realizimit të punimeve.


