Investigimi i Domagoj Margetić: Pretendime të reja për rolin e Vuçiç në një njësi paraushtarake gjatë luftës në Bosnje

Gazetari kroat rrëfen në Euronews Albania se dëshmitarë të ish-njësive paraushtarake e kanë lidhur presidentin serb me lëvizjet e një grupi të armatosur në afërsi të Sarajevës.

 


Gazetari investigativ Domagoj Margetić ka folur në emisionin Balkan Talks, të moderuar nga Franko Egro në Euronews Albania, duke zbardhur detaje nga një hetim që ka ngjallur debat të madh në rajon. Sipas tij, gjatë punës kërkimore ka dalë në pah një lidhje e mundshme e Aleksandar Vuçiçit me një grup paraushtarak serb në periudhën e luftës në Bosnje.

Margetić shpjegoi se informacionet i janë dhënë nga ish-pjesëtarë të njësive paraushtarake, të cilët kanë deklaruar se grupi lëvizte në zonat pranë Sarajevës duke përdorur autorizime zyrtare të kohës. Sipas dëshmive, në këto lëvizje ka qenë i pranishëm edhe Vuçiçi, i cili dyshohet se ka shoqëruar persona të ndryshëm gjatë kalimeve.

Gazetari përmendi Mirko Blagojević si drejtues të një prej njësive paraushtarake, ndërsa shtoi se burime të tjera të tij e kanë cilësuar Sllavko Aleksicin si figurë kyçe në organizimin e atyre veprimeve. Të gjitha dëshmitë, theksoi ai, janë marrë nga ish-pjesëtarë të strukturave paramilitare dhe nga persona që kanë njohuri të drejtpërdrejta për lëvizjet e asaj kohe.

Margetić theksoi se investigimi nuk është drejtuar kundër popullit serb, por synon të sqarojë rolin e individëve të caktuar në aktivitetet e asaj periudhe. Ai shtoi se publikimi ka nisur një debat të gjerë, duke rikthyer në vëmendje çështje të ndjeshme të historisë së rajonit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT