Në Bruksel, javën e ardhshme do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor

Më 18 dhjetor, në samitin e rregullt vjetor do të takohen liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët e vendeve të rajonit. Ky do të jetë samiti i parë që do të kryesohet nga António Costa, presidenti i sapozgjedhur i Këshillit Evropian.

Shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së do të miratojnë një deklaratë në fund të samitit, dhe pritet që liderët rajonalë të pajtohen me të. Ndër të tjera, do të theksohet se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien.

“Ka një dinamikë të re në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në kushtëzime të drejta dhe rigoroze dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët,” thuhet ndër të tjera në draftin e deklaratës përfundimtare që liderët do të miratojnë në fund të samitit që do të mbahet më 18 dhjetor.

Bashkëpunimi rajonal do të zërë një pjesë të rëndësishme të deklaratës së përbashkët, ku do të theksohet se pajtimi, bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke përfshirë edhe ato me vendet anëtare të BE-së, janë pjesë integrale e procesit të zgjerimit.

Një ftesë e veçantë do t’i dërgohet Beogradit dhe Prishtinës që, pa vonesë, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura brenda dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit.

Përveç aspektit politik, deklarata përfundimtare do të përfshijë edhe nisma konkrete që do t’u ndihmojnë vendeve të rajonit të integrohen gradualisht në shumë fusha të BE-së.

Përmendet Plani i Rritjes me vlerë prej gjashtë miliardë eurosh. BE-ja do të shprehë gatishmërinë për të shqyrtuar integrimin ekonomik dhe tregtar të mëtejshëm të vendeve të rajonit.

Ndër dokumentet që do të miratohen përmendet edhe integrimi në Unionin Evropian të Transportit. Përmendet gjithashtu vendosja e linjave të gjelbra përmes pikave kufitare me qëllim përshpejtimin e lëvizjes së mallrave.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights