Pas dy vitesh pritje, qytetarët e Shkupit përfitojnë subvencione për kondicionerë me efikasitet të lartë

Pas një periudhe dyvjeçare pa subvencione, Qyteti i Shkupit ka nisur zyrtarisht pagesën e mbështetjes financiare për amvisëritë që kanë investuar në kondicionerë inverter me efikasitet të lartë gjatë vitit 2025. Vendimet u nënshkruan mbrëmë vonë nga kryetari Orce Gjorgjievski, i cili njoftoi lajmin përmes një postimi në Facebook.

 

Sipas tij, masa synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe njëkohësisht të nxisë përdorimin e pajisjeve që kontribuojnë në një konsum më të ulët energjie dhe kushte më të mira jetese.

Gjorgjievski theksoi se amvisëritë do të kompensohen me deri në 20.000 denarë neto, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale do të mbulohet plotësisht nga Qyteti i Shkupit. Ai shtoi se kondicionerët inverter sjellin kursime të dukshme, efikasitet të lartë energjetik dhe ndikim pozitiv në cilësinë e ajrit në kryeqytet.

“Me investimet në pajisje efikase po ndërtojmë një Shkup më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm,” u shpreh kryetari.

Nga Komuna e Shkupit u konfirmua gjithashtu se në periudhën e ardhshme do të hapen thirrje të reja publike për subvencione të tjera, të cilat do të synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe modernizimin e shërbimeve.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT