Gjatë vizitës së tij në Kosovë për të shënuar 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit në një takim të veçantë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Të dy presidentët rikonfirmuan angazhimin për bashkëpunim të pandalshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se bashkë mund të nxisin projekte të reja zhvillimore dhe iniciativa strategjike rajonale. Presidenti Begaj gjithashtu vuri në pah momentumin historik të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe ndikimin pozitiv që kjo ka për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.
Gjatë vizitës në komunat e Prishtinës dhe Rahovecit, Presidenti Begaj zhvilloi takime me kryetarët Përparim Rama dhe Smajl Latifi, duke u uruar suksese në mandatin e tyre të ri pas zgjedhjeve lokale. Në Rahovec, ai u njoh nga afër me zhvillimin e agroturizmit, vreshtaritë dhe produktet bujqësore që kanë sjellë mirëqenie dhe promovim ndërkombëtar për komunën.
Si shenjë vlerësimi për kontributin dhe lidhjet historike, Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, dekoroi Presidentin Begaj me “Medaljen e Lirisë”.


