Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare ku në qendër të diskutimeve janë dy interpelanca, projektbuxheti 2026, paketa fiskale dhe procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Seanca nis me interpelancën e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, lidhur me projektin e rikualifikimit urban të zonës TID në Durrës. Më pas zhvillohet interpelanca e deputetit Agron Shehaj me Kryeministrin Edi Rama për çështjen e prishjes së ndërtimeve pa vendime të formës së prerë.
Pas interpelancave, Kuvendi shqyrton paketën fiskale dhe projektbuxhetin 2026, së bashku me një sërë projektligjesh që lidhen me procedurat tatimore, TVSH-në, tatimin mbi të ardhurat, taksat vendore, faturimin elektronik, marrëveshjen e paqes fiskale, rivlerësimin e pasurive dhe detyrimet tatimore.
Në rend të ditës është edhe procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ku garojnë gjashtë kandidatë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Endrit Shabani, Skënder Haluci dhe Tartar Bazaj.
Seanca parashikon gjithashtu miratimin e disa vendimeve administrative dhe në fund zhvillohet një mocion me debat mbi raportin final të OSBE-ODIHR-it.


