Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Kroacia po blen armatim me një ritëm “dramatik”, duke komentuar marrëveshjen e fundit për blerjen e tankeve gjermane “Leopard”.
Vuçiç shtoi se kërkesa për armë po rritet në të gjithë rajonin dhe Evropën, por se Serbia do të marrë masa për të ruajtur paqen. Ai kritikoi reagimin e Kroacisë ndaj blerjes së avionëve “Rafale” nga Serbia si “nervozë” dhe theksoi se ushtria serbe do të vazhdojë të forcohet si një forcë frenuese.
Sipas tij, gjendja e ushtrisë serbe është “e papërballueshme” krahasuar me dhjetë vitet e fundit, me armatim të ri që arrin çdo ditë. Vuçiç gjithashtu bëri të ditur se Serbia tashmë ka disa mijëra dronë-kamikazë dhe planifikon të rrisë këtë numër në dhjetëra mijëra.
Ai paralajmëroi se gara për armatim dhe mungesa e personelit mund ta shtyjë Evropën drejt rivendosjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm.


