Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një audiencë private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë, ku shprehu urimet më të përzemërta për fillimin e pontifikatit të tij. Osmani theksoi shpresën që misioni i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë në mbarë botën.
Gjatë takimit, presidentja përcolli ftesën për një vizitë të mundshme të Papës në Kosovë, e cila, siç theksoi ajo, do të mirëpritej me entuziazëm nga qytetarët kosovarë. Diskutimet përqendruan gjithashtu rolin e Kosovës si vend i paqes dhe harmonisë ndërfetare, bazuar në përvojën historike të qëndresës dhe sakrificës së saj.
Një tjetër temë e bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit në fusha që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, me shpresën se Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin për njohjen formale të Kosovës. Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar marrëdhëniet historike dhe miqësinë me Vatikanin, duke u udhëhequr nga vlerat e përbashkëta.
Në frymën e festave të Krishtlindjes, Osmani dhe Papa Leoni XIV ndanë dëshirat për paqe dhe harmoni në nivel global.


