Doganat me sistem të avancuar nga Koreja e Jugut: 4.75 milionë dollarë për luftë kundër ekonomisë gri

Drejtoria e Doganave është pozicionuar si lider në Ballkan me zbatimin e një Sistemi të avancuar për Analizën e Rrezikut dhe Magazinimin e të Dhënave, i financuar me grant nga Republika e Koresë në vlerë prej 4.75 milionë dollarësh.

 

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, theksoi se sistemi përfaqëson një bazë të fuqishme për përmbushjen e standardeve evropiane dhe për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sistemi i ri mundëson kontroll të përmirësuar të importit, eksportit dhe tranzitit, duke u shndërruar në një instrument kyç për luftën kundër ekonomisë gri, parandalimin e krimit, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit, rritjen e të ardhurave buxhetore, si dhe lehtësimin dhe përshpejtimin e tregtisë ligjore.

Një nga funksionalitetet më të rëndësishme të sistemit është alarmimi automatik i oficerëve doganorë në rast se çmimet e deklaruara të mallrave janë më të ulëta se çmimet referuese të bursës, duke sinjalizuar mashtrime të mundshme doganore. Po ashtu, sistemi do të mundësojë identifikim më efikas të profileve me rrezik të lartë në trafikun ajror.

Sistemi u promovua sot në një ngjarje ceremoniale ku morën pjesë Drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikollovski, zëvendësdrejtori Mustafa Dauti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Doganor Korean, Lee Myong-ku.

Promovimi u bë në prani të Ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Kocoska, Sekretares së Shtetit Andriana Matlioska dhe Ambasadorit të Republikës së Koresë, Kim Dong Bae, pas së cilës u mbajt edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT