Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, takon Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve lokale dhe komunitetit të biznesit.

 

Gjatë takimit është diskutuar për hapat e ardhshëm, idetë e përbashkëta dhe mundësitë konkrete për krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e bizneseve vendore, si dhe për nxitjen e investimeve në Komunën e Sarajit. Sipas Elmazit, gatishmëria për bashkëpunim dhe klima pozitive kanë karakterizuar të gjithë takimin.

Bashkëpunimi është zyrtarizuar përmes nënshkrimit të një Memorandumi Bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Sarajit dhe Odës Ekonomike, të përfaqësuar nga Nuhi Aliu, ushtrues detyre kryetar, Durim Zekiri, drejtor ekzekutiv, Xhemail Dauti, kryetar nderi dhe pronar i kompanisë “Dauti Komerc”, si dhe Sefedin Mustafa, anëtar i Këshillit Drejtues.

Kryetari Elmazi ka theksuar se ky partneritet synon realizimin e iniciativave konkrete që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Sarajit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT