Afrim Gashi kërkon vullnet politik: Institucioni nuk mund të mbetet peng i partive

Kreu i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka bërë një thirrje urgjente për zgjidhjen e ngërçit lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Gjatë një takimi me gazetarët, Gashi theksoi se është e papranueshme që një institucion kaq i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të mbetet pa drejtues për një kohë të gjatë.

 

Komisioni për Emërime dhe Zgjedhje ka propozuar tashmë Faton Selamin si kandidat për këtë pozitë. Megjithëse mazhoranca qeverisëse zotëron votat e mjaftueshme për mbështetjen e tij, procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të specifikave të votimit. Problemi qëndron te numri i pamjaftueshëm i deputetëve për të arritur shumicën sipas parimit të Badenterit, i cili kërkon votat e shumicës së deputetëve që u përkasin komuniteteve joshumicë.

“Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që ajo të rrjedhë normalisht, por jemi ballafaquar me vullnetin e partive politike. Ju e dini se duhet të votohet me mazhorancë dhe me Badenterin e madh, që kërkon mbështetjen e të paktën 20 deputetëve të bashkësive etnike,” deklaroi Gashi.

Kreu i Kuvendit konfirmoi se do të angazhohet personalisht për të gjetur një gjuhë të përbashkët mes grupeve parlamentare, duke potencuar se pika tashmë është vendosur në rend dite. Sipas tij, vullneti politik mbetet çelësi i vetëm që ky institucion të kthehet në funksion të plotë në shërbim të publikut.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT