Igli Tare vazhdon të konfirmohet si një nga drejtuesit më vizionarë në futbollin italian, duke i siguruar ish-klubit të tij, Lacios, përfitime të mëdha ekonomike edhe pas largimit. Ndonëse shqiptari tashmë është pjesë e strukturave drejtuese të Milanit, “zbulimet” e tij po rezultojnë vërtetë mina ari për bardhekaltërit.
Emri që po bën bujë në prag të merkatos është qendërmbrojtësi spanjoll, Mario Gila. Ishte pikërisht insistimi i Tares në vitin 2022 që solli spanjollin në Romë për shifrën modeste prej 6 milionë eurosh nga akademia e Real Madridit.
Nga skepticizmi te ylli i skuadrës Transferimi i Gilas fillimisht u prit me skepticizëm nga tifozët, por brenda tre viteve, 25-vjeçari është shndërruar në shtyllën e mbrojtjes te Lacio. Me mbi 100 ndeshje të luajtura dhe një qëndrueshmëri mbresëlënëse, vlera e tij në treg është rritur me ritme galopante.
Gara mes Milanit dhe Premierligës Performancat e mbrojtësit kanë rënë në sy të klubeve më të mëdha europiane. Raportohet se Milani, ku aktualisht punon Tare, po monitoron me kujdes situatën për ta ribashkuar lojtarin me drejtuesin që e zbuloi. Megjithatë, gara nuk është e lehtë, pasi në lojë janë futur edhe klubet e pasura të Premierligës si Çelsi dhe Bornmuth.
Çdo lëvizje e mundshme e Gilas do të sillte një fitore të pastër financiare për Lacion, e cila mund të arkëtojë shumëfishin e asaj që investoi tre vite më parë, falë “syrit” të mprehtë të Igli Tares.


