Kandidati për kryetar të komunës së Studeniçanit nga koalicioni VLEN, së bashku me bartësin e listës për këshilltarë, Xhelal Ramushi, dhe ekipin e tij, zhvilloi sot një takim me banorët e fshatit Vërtekicë.
Në bisedën me qytetarët u diskutuan problemet kryesore me të cilat ata përballen prej vitesh. Banorët theksuan se rruga e shkatërruar mbetet një problem jetik që kërkon zgjidhje urgjente, ndërsa burimi i ujit për banjat është një projekt i nisur pesë vite më parë, por që ende nuk është përfshirë në buxhetin e komunës.
Një tjetër çështje e ngritur ishte transporti publik, ku banorët kërkojnë që linjat të jenë më të shpeshta për të lehtësuar lëvizjen drejt zonave urbane. Në fokus ishte edhe Shpella e Vërtekicës, e cila konsiderohet një pasuri natyrore me potencial turistik. Kandidati i VLEN u shpreh se ky resurs do të përfshihet në planet zhvillimore të komunës, duke përdorur fondet IPARD për ta promovuar si atraksion dhe për të nxitur zhvillimin lokal.
Ai theksoi se, nëse fiton mandatin, qeverisja e tij lokale do të ketë në prioritet adresimin e secilit problem të qytetarëve.