Arsimi “blindon” skuadrën: Zyrtarizon sulmuesin Fahad Bayo dhe mbrojtësin Xhelil Abdulla

Çegran, 27 Janar – Klubi Futbollistik Arsimi po tregon ambicie të mëdha në afatin kalimtar të janarit, duke prezantuar dy goditje të rëndësishme për vazhdimin e sezonit. Skuadra verdhezi ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me sulmuesin e Kombëtares së Ugandës, Fahad Bayo, si dhe mbrojtësin me përvojë ndërkombëtare, Xhelil Abdulla.

 

Nga Vardari vjen “bomberi” i Ugandës Reparti ofensiv i Arsimit do të udhëhiqet nga Fahad Bayo, i cili vjen nga radhët e Vardarit. Bayo është një emër i njohur në arenën ndërkombëtare, me 25 paraqitje dhe 6 gola për Kombëtaren e Ugandës. Me një karrierë që shtrihet nga Afrika në Evropë (Izrael e Çeki), forca fizike dhe instinkti i tij për gol pritet të jenë “arma” kryesore e ekipit në fazën e sulmit për gjashtë muajt e ardhshëm.

Përvojë evropiane në mbrojtje me Xhelil Abdullin Për të siguruar repartin e prapavijës, Arsimi ka siguruar shërbimet e mbrojtësit Xhelil Abdulla. I ardhur nga Makedonija Gjorçe Petrov, Abdulla bart me vete një biografi mbresëlënëse. Përveç klubeve elitare në rajon si Shkëndija, Shkupi e Llapi, ai ka luajtur edhe në kampionate prestigjioze evropiane si në Gjermani (MSV Duisburg) dhe Holandë (De Graafschap).

Synimet e klubit Me këto dy lëvizje, KF Arsimi konfirmon se synon të jetë një forcë serioze në garat e ardhshme. “Jemi të bindur se përvoja dhe cilësia e tyre do të jenë një vlerë e shtuar për arritjen e objektivave tona,” thuhet në njoftimin e klubit.

Tashmë të dy lojtarët janë vënë nën urdhrat e shtabit teknik dhe pritet të jenë gati për sfidat e radhës në kampionat.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT