Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Tirana që të kthejë menjëherë 33,5 milionë euro nga programi IPARD 2, pasi hetimet zbuluan përdorim të parregullt të fondeve gjatë periudhës 2020–2022. Sipas raportimeve, zyra evropiane për luftën kundër mashtrimeve (OLAF) ka dokumentuar 52 raste abuzimi me fondet e destinura për bujqësinë dhe sektorin ushqimor.
Komisioni Evropian theksoi se çdo shumë e përdorur në mënyrë të parregullt duhet të kthehet dhe se Shqipëria duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitet maksimal. Në të njëjtën kohë, fondet e IPARD 3 janë pezulluar – gjithsej 146 milionë euro, nga të cilat 112 milionë vijnë direkt nga Brukseli. Nëse nuk merren masa korrigjuese, Shqipëria rrezikon të humbasë të gjitha fondet deri në vitin 2027.
Çështja po hetohet edhe nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila po verifikon abuzimet dhe përfituesit e fondeve.


