Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur sot para SPAK-ut, ku hodhi poshtë akuzat për pasuri dhe konflikt interesi, duke theksuar se nuk zotëron asnjë pasuri tjetër përveç banesës ku jeton. Ai deklaroi se gjatë gjithë karrierës së tij, me pagën e shtetit ka arritur të blejë vetëm 40 metra katrorë ndërtim, duke shtuar se mund të kishte blerë më shumë vetëm përmes kredive.
Berisha u shpreh se nuk ekziston asnjë konflikt interesi, duke theksuar se dhëndri i tij ka përfituar vetëm 64 euro. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndryshuar destinacionin e ish-kompleksit “Partizani”, duke pretenduar se Rama dhe vëllai i tij kishin planifikuar ndërtimin e një zone të re banimi për interesa personale.
Ish-kryeministri tha gjithashtu se është i vetmi politikan që i është nënshtruar një “vettingu të plotë”, madje sipas tij nga kundërshtarët politikë. Ai shtoi se si pasuri i janë evidentuar vetëm një apartament dhe rreth 100 mijë euro kursime, ndërsa si korrupsion janë cilësuar edhe pushimet njëjavore të paguara nga vajza e tij. Berisha paralajmëroi se më 22 dhjetor do të përballet politikisht me kryeministrin Rama, duke deklaruar se opozita do të reagojë fuqishëm.


