Cila bagazh dore do të përfshihet falas në çmimin e biletës së avionit – ligji i ri i BE-së hyn në fuqi nga viti 2027

Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje për ruajtjen e të drejtës për bagazh dore falas dhe kompensimin për vonesat e fluturimeve sipas rregullave të të drejtave të pasagjerëve në transportin ajror të Bashkimit Evropian, pas më shumë se një dekade negociatash.

 

Sipas rregullave të reja, pasagjerët e transportit ajror do të kenë ende të drejtën e bagazhit të dorës falas në kabinë dhe kompensim nëse fluturimi vonohet të paktën tri orë. Kjo ishte një nga kërkesat kyçe të Parlamentit Evropian, të cilës iu kundërvunë disa shtete anëtare të BE-së, shkruan Euronews.

“Tarifat që duhet të paguhen mbeten të njëjta si ato që kompanitë ajrore i njohin prej gati 20 vitesh. Është një situatë që sjell parashikueshmëri”, deklaroi një diplomat i lartë i BE-së për gazetarët të premten, pas arritjes së marrëveshjes.

Pasagjerët evropianë tashmë gëzojnë të drejtën e kompensimit në shumën nga 250 deri në 600 euro nëse fluturimi anulohet ose vonohet më shumë se tri orë. Teksti i ri, i mbështetur nga ligjvënësit e BE-së, specifikon se kompanitë ajrore do të paguajnë 300 euro për fluturimet më të gjata se 3,500 kilometra, ose 600 euro nëse vonesa tejkalon katër orë, ose në rast se fluturimi përfundimisht anulohet.

Rregullat e reja gjithashtu shfuqizojnë tarifat për bagazhin e dorës në kabinë, një praktikë e zakonshme kjo tek kompanitë ajrore me kosto të ulët (low-cost). Pasagjerët tani do të kenë të drejtë për një send personal falas me përmasa 40 cm x 30 cm x 15 cm dhe një bagazh të vogël me rrota, siç është një çantë e vogël ose një çantë shpine.

Me këmbënguljen e Parlamentit Evropian, transparenca e çmimeve dhe krahasueshmëria e biletave të avionit janë rritur duke kërkuar nga kompanitë ajrore, ndërmjetësit dhe motorët e kërkimit që ta shfaqin çmimin e fluturimit, duke përfshirë bagazhin e dorës, që nga fillimi i procesit të rezervimit.

Negociatorët e BE-së u pajtuan që kompanitë ajrore mund të ofrojnë bileta më të lira për pasagjerët që zgjedhin vullnetarisht të udhëtojnë pa bagazh dore.

Kur ligji i ri të hyjë në fuqi në vitin 2027, kompanitë ajrore do të duhet të përfshijnë si sendin e vogël personal, ashtu edhe bagazhin më të madh të dorës në çmimin bazë. Edhe pse ky ndryshim me gjasë do të rrisë çmimet fillestare, veçanërisht te kompanitë me kosto të ulët që aktualisht tarifojnë ekstra për bagazhin e dorës, pasagjerët që zgjedhin të fluturojnë pa bagazh do të mund të përzgjedhin një çmim më të ulët.

Organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve argumentojnë se tarifimi për bagazhin e dorës është i paligjshëm, veçanërisht përmes praktikave të përdorura nga kompanitë ajrore me kosto të ulët, dhe se pasagjerët duhet të gëzojnë të drejtën e kompensimit të lidhur me vonesat. Sidoqoftë, disa kompani ajrore kanë filluar të prezantojnë shpejt tarifa për bagazhin e dorës muajt e fundit, duke përmendur humbjet financiare nga rritja e çmimeve të karburantit të avionëve për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja u arrit të premten nga ambasadorët e BE-së dhe presidenca qipriote e BE-së, e cila kryeson Këshillin e BE-së deri në fund të qershorit.

“Çmimet e biletave pa bagazh reklamohen, dhe më pas bagazhi tarifohet shtesë. Pra, nëse keni rrota, nëse ato dalin jashtë përmasave, atëherë ai konsiderohet bagazh edhe më i madh dhe paguani edhe më shumë në aeroport. Thjesht, Parlamenti Evropian dëshiron që disi ta kufizojë këtë dhe ta sjellë në një lloj normaliteti”, tha një përfaqësues evropian.

Sipas tij, bagazhi i dorës duhet të jetë i përfshirë në çmimin bazë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT