Ekskluzive nga Maqedonci: Autoblinda ushtarake “Shota” do të bashkëprodhohet në Kosovë dhe Shqipëri

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dhënë një lajm ekskluziv lidhur me fuqizimin e industrisë ushtarake të Kosovës. Në kuadër të aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, është arritur dakordimi që autoblinda ushtarake “Shota”, e dizajnuar në Shqipëri, të prodhohet edhe në Kosovë.

 

Ky bashkëpunim trilateral shënon një moment historik, pasi është hera e parë në Ballkan që tri shtete bashkohen për të bashkëprodhuar një automjet të blinduar ushtarak, i cili do të shërbejë për nevojat e ushtrive respektive dhe për eksport në tregun ndërkombëtar.

Sistemet e reja të armatimit dhe raketat “Javelin” Gjatë intervistës në “60 Minuta” të KTV-së, Maqedonci njoftoi se pas Shqipërisë, edhe Kosova po synon që vitin e ardhshëm të sigurojë kontingjentin e parë të raketave anti-tank “Javelin” nga SHBA-ja. Ai theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka tejkaluar parashikimet e vitit 2018, duke zotëruar tashmë 23 lloje armatimesh më shumë sesa plani origjinal.

Objektivi i radhës: Helikopterët “Blackhawk” Përveç sistemeve anti-dron që Kosova tashmë i disponon, Ministri Maqedonci konfirmoi bisedimet me Pentagonin për një tjetër hap gjigant:

“Jemi në bisedime me Pentagonin për sigurimin e helikopterëve ‘Blackhawk’,” deklaroi ai, duke shtuar se viti i ardhshëm do të jetë vendimtar për sistemet kundërajrore dhe flotën e helikopterëve.

FSK drejt përmbushjes së kapaciteteve Aktualisht, FSK numëron 4,460 pjesëtarë aktivë, duke arritur në 90% të planit për vitin 2028, ku synohet shifra prej 5,000 ushtarësh. Maqedonci vuri në dukje se blerjet reale dhe masive të armatimit kanë nisur pas vitit 2021, duke u mbështetur te partnerët kryesorë si SHBA-ja dhe Turqia, por edhe te bashkëpunimi i zgjeruar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Kroacinë.

Ky projekt për prodhimin e autoblindës “Shota” pritet të konkludohet së shpejti me një marrëveshje dypalëshe me Shqipërinë, për t’u zgjeruar më pas me përfshirjen e industrisë kroate.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT