Pas më shumë se një dekade, Serbia po bëhet gati të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ky vendim synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura Serbe, duke i dhënë fund periudhës së ushtrisë vetëm me profesionistë.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Bratislav Gasic, ky shërbim do të jetë i detyrueshëm për të gjithë burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç, ndërsa gratë do të mund t’i bashkohen ushtrisë mbi baza vullnetare.
Detajet e shërbimit 75-ditor Ministria e Mbrojtjes ka përcaktuar një plan stërvitor prej 75 ditësh, i cili është vlerësuar si koha optimale për trajnimin bazë të rekrutëve:
-
60 ditët e para: Rekrutët do të qëndrojnë në kazerma për trajnim disiplinor dhe bazë.
-
15 ditët e fundit: Do të zhvillohet trajnim në kushte kampi dhe pozicione taktike.
Një risi në krahasim me të kaluarën është se të gjithë rekrutët që do të kryejnë shërbimin e detyrueshëm do të paguhen me një pagë mujore nga shteti.
Kritika për periudhën 2000-2012 Gjatë prezantimit të planit, Gasic kritikoi udhëheqësit e kaluar, duke pretenduar se deri në vitin 2012 ushtria ishte reduktuar në nivelin e mbrojtjes civile.
“Ushtria Serbe kishte mbetur me vetëm 3,500 burra, pa aviacion dhe me depo bosh. Që nga viti 2012 kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të rindërtuar infrastrukturën dhe pajisjet,” deklaroi Gasic.
Ndryshime edhe për ushtarët profesionistë Përveç rekrutëve të rinj, Serbia ka ndryshuar edhe rregullat për 10 mijë ushtarët me kontratë. Ata tashmë kanë mundësinë e kontratave të përhershme deri në pension (65 vjeç për burrat dhe 63 vjeç për gratë), duke shmangur largimin e personelit të trajnuar në moshën 53-vjeçare siç ndodhte më parë.
Ky hap i Serbisë vjen në një kohë kur disa vende të Ballkanit dhe Evropës po rishikojnë politikat e tyre të mbrojtjes për shkak të situatës së tensionuar gjeopolitike globalisht.


