Javën e ardhshme pritet të mbahet seanca parlamentare për emërimin dhe shkarkimin e ministrave të rinj të Qeverisë, konfirmoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Propozimet zyrtare nga Qeveria kanë mbërritur në Kuvend gjatë pasdites së djeshme.
Sipas propozimeve, Bekim Sali do të marrë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe njëkohësisht të ministrit për Çështje Evropiane, ndërsa Muhamet Hoxha është propozuar të udhëheqë Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Në të njëjtën seancë pritet të formalizohet edhe shkarkimi i ministrit aktual të Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani. Jozyrtarisht, thuhet se Murtezani mund të emërohet ambasador në Bruksel, megjithëse kryeministri Mickoski ka deklaruar se kjo çështje ende nuk është diskutuar.
Gashi theksoi se seanca do të caktohet në intervalin 15–18 dhjetor, pasi dinamika e debatit për Buxhetin e vitit 2026, i planifikuar për 9 dhjetor, mund të ndikojë në afatet.
Në skenën parlamentare po vërehen lëvizje të reja edhe brenda Frontit Evropian, pas deklaratës së deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Ilir Demiri, i cili bëri të ditur se do të veprojë në mënyrë të pavarur. Vendimi u interpretua si një sinjal që mund të ndikojë në shumicën e nevojshme të Badenterit.
Megjithatë, Gashi vlerëson se këto rigrupime nuk lidhen drejtpërdrejt me votimin e Badenterit dhe se rezultatet do të varen nga aftësia për të arritur marrëveshje paraprake ndërmjet grupeve parlamentare.


