Gjykata amerikane në anën e New York Times, bllokon kufizimet e Pentagonit për shtypin

Një gjykatës federal në SHBA ka bllokuar administratën e Presidentit Donald Trump nga zbatimi i një politike që kufizonte qasjen e gazetarëve në Pentagon. Vendimi i gjykatësit Paul Friedman mbështeti New York Times, duke konstatuar se pjesë kyçe të rregullave të reja janë të paligjshme.

 

Gjykata vlerësoi se politika kufizonte në mënyrë të padrejtë kredencialet e gazetarëve që refuzuan të pranonin rregullat e reja, duke shkelur të drejtat kushtetuese për lirinë e shtypit dhe procesin e rregullt ligjor. Friedman theksoi se rregullat nuk ofrojnë qartësi për praktikat e zakonshme gazetareske dhe se në fakt synojnë të përjashtojnë “gazetarët e padëshiruar” për t’i zëvendësuar me media të gatshme të mbështesin administratën.

New York Times e përshëndeti vendimin si një mbrojtje të fortë të lirisë së shtypit. “Amerikanët meritojnë transparencë mbi mënyrën se si qeveria e tyre drejtohet dhe mbi veprimet e ushtrisë,” tha zëdhënësi Charlie Stadtlander. Avokati i gazetës, Theodore Boutrous, e cilësoi vendimin si “refuzim të fuqishëm të përpjekjes së Pentagonit për të penguar lirinë e shtypit”.

Pentagoni nuk komentoi menjëherë, por ka argumentuar se politika vendos “rregulla të arsyeshme” për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të parandaluar qasjen e personave që paraqesin rrezik. Megjithatë, gjykata theksoi se, sidomos në kohë lufte, është më e rëndësishme se kurrë publiku të ketë qasje në informacione nga perspektiva të ndryshme.

 

TË NDRYSHME

TË FUNDIT