Goditje e re për Italinë: Carlo Ancelotti refuzon stolin e Kombëtares dhe mbetet te Brazili

ROMË – Federata Italiane e Futbollit ka pësuar një tjetër refuzim zhgënjues në përpjekjet e saj për të gjetur trajnerin e ri, pasi edhe strategu i njohur Carlo Ancelotti ka refuzuar mundësinë për të marrë drejtimin e Italisë, transmeton KohaNews.

 

Ancelotti ka vendosur t’i qëndrojë besnik projektit të Kombëtares së Brazilit, me të cilën ka kontratë të vlefshme deri në Kampionatin Botëror të vitit 2030. Informacionin rreth kontakteve zyrtare e konfirmoi edhe drejtori i ri teknik i Italisë, Paolo Maldini, i cili pranoi se drejtuesit e Federatës kishin vënë në shënjestër emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.

„Nuk mund të fshehim se kemi biseduar me Ancelottin para se të flisnim me Pepin. E konsideruam të drejtë të nisnim nga trajnerët më të mirë në botë,“ u shpreh Maldini.

Refuzime radhazi dhe kriza në Kombëtaren italiane

Pavarësisht eliminimit të Brazilit që në fazën e osminefinaleve të Botërorit nga Norvegjia (2:1), Federata Braziliane e kishte vazhduar kontratën e italianit deri në vitin 2030, duke ruajtur besimin tek ai. Kjo është hera e dytë që Ancelotti refuzon stolin e vendit të tij, pasi një ofertë të ngjashme e kishte refuzuar edhe pas dështimit në kualifikimet për Botërorin e vitit 2018.

Pas dorëheqjes së Gennaro Gattusos, i cili u largua pas dështimit të Italisë për t’u kualifikuar në Botëror për herë të tretë radhazi, drejtuesit e futbollit italian nisën fushatën për një reformim total. Mirëpo, pas Ancelottit, edhe Pep Guardiola ka refuzuar ofertën, duke deklaruar se pas dekadës në Manchester dëshiron t’i përkushtohet familjes dhe të marrë një pushim më të gjatë nga futbolli.

/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT