Lajm i keq për KF Shkëndija: Portieri Baboucarr Gaye lëndohet dhe mbetet jashtë fushave për disa javë

 KF Shkëndija do të duhet të bëjë pa shërbimet e portierit të saj titullar, Baboucarr Gaye, për një periudhë prej 2 deri në 3 javë, si pasojë e një dëmtimi muskulor, transmeton KohaNews.

 

Gaye kishte ndjerë shqetësime që gjatë fazës përgatitore, por pavarësisht kësaj, ai ishte paraqitur në sfidën e parë eliminatore të UEFA Conference League kundër Europa FC në Gjibraltar. Pas kësaj ndeshjeje, dhimbjet janë shtuar ndjeshëm, duke e detyruar stafin mjekësor ta lërë jashtë grumbullimit për ndeshjen e kthimit në Shkup, si dhe për përballjen e radhës ndaj NK Bravo në Lubjanë të Sllovenisë.

Kontrollet mjekësore dhe diagnoza

Pas kontrolleve të detajuara dhe rezonancës magnetike të kryer në Shkup më 20 korrik, si dhe ekzaminimeve plotësuese specialistike në Shtutgart të Gjermanisë më 23 korrik, mjekët kanë konfirmuar një dëmtim strukturor muskulor/tetivor në pjesën e prapme të kofshës së djathtë (tendomuskulärer Ansatzläsion tub. ischiodium rechts).

Sipas udhëzimeve mjekësore, gardiani kuqezi i është nënshtruar menjëherë një terapie të specializuar, e cila përfshin trajnim lokal me ACP dhe fizioterapi intensive. Faza e rikuperimit parashikohet të zgjasë rreth 2 deri në 3 javë, kohë pas së cilës pritet rikthimi i tij në stërvitje me grupin.

„KF Shkëndija i uron Baboucarr Gaye-s rikuperim të shpejtë dhe rikthim sa më të fuqishëm në portë!“ thuhet në njoftimin e klubit.

/ KOHANEWS

TË NDRYSHME

TË FUNDIT