Komuna e Gostivarit shënon një arritje të rëndësishme në përmbyllje të vitit shkollor me inaugurimin e 12 kabineteve të reja profesionale në SHMKT GOSTIVARI, duke konfirmuar edhe njëherë pozitën e kësaj shkolle si një histori suksesi në arsimin profesional në vend.
Kabinetet e reja janë realizuar në kuadër të projektit “Do Not Leave”, të mbështetur nga Regional Challenge Fund dhe Banka Gjermane për Zhvillim.
Projekti synon aftësimin profesional të të rinjve, duke u ofruar atyre perspektivë dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin tonë.
Hapësirat mësimore janë të pajisura me teknologji bashkëkohore, duke përfshirë:
Pajisje CNC dhe printerë 3D,Laboratorë kompjuterikë,Infrastrukturë serverike dhe rrjetore si dhe vegla të tjera të specializuara profesionale.
Kjo infrastrukturë moderne dhe e standardizuar do të i’u ofrojë nxënësve njohuri praktike dhe përvojë konkrete, duke i përgatitur në mënyrë efektive për tregun e punës.
Realizimi i këtij projekti është fryt i bashkëpunimit me partnerë të shumtë, të cilëve kryetari i komunës së Gostivarit Valbon Limani i’u shprehi mirënjohje dhe i falenderon për kontributin e tyre në avancimin e arsimit profesional në Gostivar.Gostivari dhe vendi kanë nevojë për dijen, energjinë dhe talentin e të rinjve dhe ky projekt është një hap konkret për t’i mbajtur ata këtu për të kontribuar në vendin e tyre.


