MANCHESTER – Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka uruar zyrtarisht Arsenalin për fitimin e titullit kampion në Premier League, pas barazimit të mbrëmshëm 1-1 që skuadra e tij regjistroi ndaj Bournemouth-it, në kuadër të javës së 37-të.
Në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes, tekniku spanjoll pranoi lodhjen e skuadrës së tij, por vlerësoi maksimalisht rrugëtimin e rivalëve:
“Ishte një ndeshje e vështirë, ashtu siç e prisnim. Na mungoi pak energjia, gjë që është normale duke pasur parasysh se ata patën 12 ditë kohë për t’u përgatitur, ndërsa ne vetëm tri. Shënuam, por ishte tepër vonë. Futbollistët e mi dhanë maksimumin përgjatë gjithë sezonit, duke luftuar në kushte të vështira deri në fund. Në emër të Manchester City-t, përgëzoj Arsenalin, Mikel Artetan dhe të gjithë stafin e tij për këtë trofe të merituar. Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme.” – deklaroi Guardiola për BBC.
Ndryshime rrënjësore te Manchester City
Përveç humbjes së titullit, ky fund sezoni shënon edhe fundin e një epoke për “Qytetarët”. Edhe pse ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, 55-vjeçari spanjoll ka vendosur të largohet nga drejtimi i skuadrës këtë verë. Vendin e tij në stol do ta marrë tekniku italian Enzo Maresca.
Kur ka mbetur edhe një xhiro nga përfundimi i kampionatit 2025/26, Arsenali kryeson i shkëputur tabelën me 82 pikë, i ndjekur nga Manchester City në vendin e dytë me 78 pikë, duke mbyllur matematikisht garën për titull.


