Një investigim i fundit nga redaksia e N1 në Serbi ka dokumentuar hap pas hapi procesin e rekrutimit, organizimit dhe pagesës së personave që marrin pjesë si “statistë” në tubimet politike të Presidentit Aleksandar Vuçiq. Gazetarët u infiltruan në grup, duke u regjistruar si pjesëmarrës të thjeshtë për të parë se si funksionon makineria e partisë në pushtet.
Rekrutimi: 3.000 dinarë për “dy orë punë” Gjithçka nisi me një ftesë anonime ku premtoheshin 3.000 dinarë (rreth 25 euro) për një prani prej dy orësh në një event, pa u specifikuar fillimisht se bëhej fjalë për mitingun e SNS-së në Arenën e Beogradit. Gazetarët dhanë emrat dhe moshat e tyre te një koordinatore dhe morën udhëzimet për vendtakimin.
Hierarkia e pagesave: “Sa më lart, aq më shumë para” Gjatë bisedave të regjistruara me koordinatorët, u zbulua se ekziston një sistem piramidal i pagesave:
-
Diferenca sipas komunës: Pagesa varet nga buxheti që ndan komuna apo dega përkatëse e partisë.
-
“Duart” që prekin paratë: Një nga koordinatorët u shpjegoi gazetarëve se sa më shumë ndërmjetës të ketë, aq më pak para mbeten për statistin në fund. “Nëse je afër kreut, merr shifër më të madhe. Nëse je në fund, merr më pak,” u shpreh ai.
Organizimi ushtarak: Grupe në të zeza dhe kontroll rigoroz Investigimi vuri re një organizim të rreptë:
-
Numërimi: Njerëzit rreshtoheshin dy e nga dy dhe numëroheshin disa herë para nisjes.
-
Kodi i veshjes: Grupe të rinjsh të veshur me të zeza dhe me kapuçë ishin pjesë e dekorit, ndërsa të tjerëve u kërkohej të mbanin syze dielli dhe kapele.
-
Koreografia: Brenda Arenës, grupe të caktuara ushtronin thirrjet në kor si: “Kosova është Serbi” dhe “Aco, Serbi”, ndërsa udhëzoheshin me megafon se kur duhej të ngriheshin në këmbë.
Pagesa në vende të errëta Pas përfundimit të mitingut, gazetarët u udhëzuan të shkonin në një zonë të errët pas Arenës. Aty, koordinatorët i fotografuan të gjithë pjesëmarrësit (për t’i raportuar në komunë si prezentë) dhe dy vajza u shpërndanë paratë në dorë.
Redaksia e N1 njoftoi se paratë e marra nga kjo skemë do t’i kthehen Partisë Përparimtare Serbe përmes një pagese zyrtare në llogarinë e tyre, si dëshmi e integritetit të investigimit.


