John Cena, një nga figurat më të mëdha në historinë e WWE-së, ka zhvilluar ndeshjen e fundit të karrierës së tij, duke i dhënë fund zyrtarisht rrugëtimit të tij në ring.
Legjenda e WWE-së e përmbylli turneun e pensionimit njëvjeçar me paraqitjen e fundit në eventin “Saturday Night’s Main Event”, të mbajtur në Capital One Arena në Uashington, përpara më shumë se 19 mijë tifozëve.
Cena, kampion 17-herë i WWE-së, u mposht nga Gunther, duke u dorëzuar pas një kapjeje “sleeper hold”. Kjo ishte hera e katërt në karrierën e tij që Cena dorëzohet në ring dhe e para pas vitit 2004, kur ishte mposhtur nga Kurt Angle.
Gjatë ndeshjes, Cena provoi disa nga lëvizjet e tij ikonike, përfshirë “Five Knuckle Shuffle” dhe “Attitude Adjustment”, por nuk arriti t’i rezistojë presionit të vazhdueshëm të Gunther. Në momentin vendimtar, ai shikoi drejt kamerës, buzëqeshi lehtë dhe u dorëzua, duke shënuar fundin simbolik të karrierës së tij aktive.
Pas përfundimit të ndeshjes, Gunther u largua nga ringu, ndërsa shumë prej yjeve të WWE-së dolën për t’i dhënë lamtumirën Cenës. Kampioni Botëror në peshat e rënda, CM Punk, dhe kampioni i padiskutueshëm i WWE-së, Cody Rhodes, ia dorëzuan atij rripat e kampionatit për një moment simbolik nderimi.
Publiku reagoi ashpër ndaj drejtuesit kryesor të përmbajtjes së WWE-së, Paul “Triple H” Levesque, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si u mbyll karriera e Cenës.
Në fund të ceremonisë, Cena la këpucët dhe shiritat e dorës në qendër të ringut, përpara se të përshëndeste tifozët dhe të largohej për herë të fundit. Duke iu drejtuar kamerës, ai u shpreh shkurt:
“Ka qenë kënaqësi t’ju shërbej për kaq shumë vite. Faleminderit.”
Me këtë moment, John Cena mbylli një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e WWE-së.


