Kasami: VLEN drejt shndërrimit në një subjekt të vetëm politik, bisedohet edhe për lidershipin

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se liderët e koalicionit VLEN janë në komunikim të intensifikuar për të finalizuar procesin e shndërrimit të koalicionit në një subjekt të vetëm politik. Sipas Kasamit, bisedimet zhvillohen të paktën dy herë në javë, ndërsa një takim i radhës është paraparë të mbahet brenda kësaj jave.

 

Kasami e cilësoi këtë si një proces kompleks që tejkalon çështjet administrative. Ai konfirmoi se përveç katër subjekteve ekzistuese, në strukturën e re politike pritet të inkorporohen edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja Arbëria.

“Bisedohet edhe për çështjen e lidershipit, por edhe për strukturimin e plotë të VLEN-it si një strukturë politike. Kjo duhet të jetë një mundësi e hapur për të gjithë ne që jemi pjesëmarrës”, deklaroi Kasami për TV21.

Sipas kreut të Besës, qëllimi mbetet krijimi i një platforme unike që do të përfaqësojë të gjithë faktorët brenda koalicionit në një shtëpi të përbashkët politike.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT