Industria automobilistike gjermane ka regjistruar tremujorin më të dobët financiar që nga kriza globale e vitit 2009, sipas raportit më të fundit të firmës konsulente Ernst & Young (EY).
Fitimi i kombinuar para interesave dhe taksave (EBIT) i tre prodhuesve më të mëdhenj gjermanë të automjeteve – Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz – ka rënë për rreth 76 për qind në periudhën korrik–shtator. Sipas të dhënave të publikuara nga Deutsche Welle, EBIT në këtë tremujor arriti vetëm 1.7 miliardë euro, niveli më i ulët që nga tremujori i tretë i vitit 2009.
Në nivel global, situata nuk është shumë më e mirë. Mesatarja e EBIT-it të 19 prodhuesve më të mëdhenj të automobilave në botë ka rënë për 37 për qind, në rreth 18.9 miliardë euro, që përfaqëson nivelin më të ulët që nga viti 2018.
Raporti i EY thekson se industria automobilistike gjermane ka performuar më dobët se çdo vend tjetër i analizuar, si në aspektin e fitimit ashtu edhe të të ardhurave. Ekspertët vlerësojnë se sektori global i automobilave po përballet me një krizë të thellë të profitabilitetit, e shkaktuar nga tregu i dobët, tarifat e larta, kursi i pafavorshëm i këmbimit dhe investimet masive në automjete elektrike dhe procese restrukturimi.
“Industria globale e automobilave ndodhet në një krizë të thellë, por aktualisht kompanitë gjermane po e ndjejnë më së shumti presionin”, deklaroi Konstantin Gall, ekspert i industrisë automobilistike në EY.
Megjithëse shitjet dhe të ardhurat kanë mbetur relativisht stabile, rritja e ndjeshme e kostove të prodhimit dhe operimit ka reduktuar ndjeshëm fitimet e kompanive, duke bërë që çdo automjet i shitur të sjellë më pak përfitim financiar.


