Si prodhuesit kinezë shfrytëzuan “vrimat” në tarifat doganore dhe rritën shitjet në Evropë

Evropa u përpoq të frenojë depërtimin e makinave kineze përmes tarifave shtesë doganore, por rezultati doli krejt i kundërt. Në vend të ngadalësimit, shitja e automjeteve kineze në tregun evropian po rritet me ritme të shpejta.

 

Bashkimi Evropian vendosi tarifa shtesë për automjetet elektrike të importuara nga Kina, me qëllim mbrojtjen e prodhuesve vendas dhe nxitjen e markave kineze që të hapin fabrika në Evropë. Megjithatë, prodhuesit kinezë u përshtatën shpejt dhe gjetën mënyra për t’i anashkaluar këto masa.

Sipas vlerësimeve, gjatë këtij viti në tregjet e BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të EFTA-s pritet të shiten mbi 700 mijë automjete kineze, një rritje e ndjeshme krahasuar me 408 mijë njësi në vitin 2024, pavarësisht tarifave që në disa raste arrijnë deri në 35 për qind dhe u vendosën në vitin 2025.

Tarifat e larta prekin kryesisht automjetet elektrike dhe plug-in hibride, ndërsa hibridet klasike dhe modelet me motor me djegie të brendshme (SUS) tatohen vetëm me tarifën bazë prej 10 për qind. Kjo “hapësirë” ligjore u shfrytëzua menjëherë nga prodhuesit kinezë.

Si pasojë, fokusi u zhvendos drejt modeleve hibride klasike dhe atyre me motorë tradicionalë, të cilët janë dukshëm më të lirë se homologët evropianë. Për shkak të kostove të prodhimit deri në 30 për qind më të ulëta në Kinë, shumicës së prodhuesve nuk u leverdis të hapin fabrika në Evropë vetëm për të shmangur tarifat.

Këtë vit, rreth dy të tretat e automjeteve kineze janë importuar duke paguar vetëm tarifën bazë doganore. Ndërkohë, pjesa e automjeteve elektrike nga Kina ka rënë nga 44 për qind në vitin 2024 në 34 për qind në vitin 2025.

Prodhimi lokal mbetet minimal. Më pak se 20 mijë automjete kineze pritet të prodhohen në Evropë gjatë këtij viti. BYD planifikon ta ndryshojë pjesërisht këtë situatë me hapjen e një fabrike të madhe në Hungari, por shumica e prodhuesve të tjerë ende hezitojnë.

Megjithatë, disa projekte janë paralajmëruar: Leapmotor synon të prodhojë modelin B10 në Spanjë, Great Wall Motors planifikon të arrijë prodhim prej 300 mijë automjetesh në Evropë deri në vitin 2029, ndërsa Dongfeng, Hongqi, Chery, XPeng dhe GAC po shqyrtojnë mundësitë për prodhim lokal ose tashmë po montojnë sasi simbolike.

Për momentin, një gjë është e qartë: tarifat evropiane nuk përbëjnë një pengesë serioze për prodhuesit kinezë – përkundrazi, në mënyrë paradoksale, po i ndihmojnë ata të forcojnë praninë në tregun evropian.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT